**Bellingham i përgjigjet Tuchelit: Ndoshta nuk e di sa vështirë është të luash kundër Haalandit dhe shokëve**
Mesfushori i Anglisë, Jude Bellingham, i është përgjigjur publikisht kritikave të trajnerit Thomas Tuchel, i cili, pavarësisht fitores dramatike 2-1 kundër Norvegjisë në çerekfinalen e Kupës së Botës, shprehu pakënaqësi për paraqitjen e ekipit.
Pas ndeshjes, Tuchel deklaroi se Anglia kishte qenë “me fat” dhe se loja e ekipit nuk kishte qenë në nivelin që ai priste, duke theksuar se ka ende hapësirë të konsiderueshme për përmirësim para gjysmëfinales.
Megjithatë, Bellingham nuk pranoi këtë vlerësim, duke mbrojtur bashkëlojtarët e tij.
“Ndoshta ai nuk e di se çfarë do të thotë të luash në ato kushte kundër Haalandit, Ødegaardit, Nusës dhe Sørlothit. Nuk është aspak një ekip i lehtë për t’u përballur,” tha Bellingham.
Ylli anglez theksoi se Norvegjia ka një nga repartet sulmuese më cilësore në futbollin evropian dhe se fitorja ndaj një kundërshtari të tillë nuk duhet nënvlerësuar. Sipas tij, në fazat vendimtare të një Botërori, rëndësi parësore ka kualifikimi, edhe kur skuadra nuk luan futbollin më spektakolar.
Komentet e Bellinghamit shkaktuan bujë në mediat angleze, pasi rrallëherë një futbollist i përgjigjet publikisht trajnerit të kombëtares. Më vonë, Tuchel sqaroi se kritikat e tij kishin të bënin vetëm me analizën taktike të ndeshjes dhe jo me mungesë besimi te lojtarët. Nga ana e tij, kapiteni Harry Kane u përpoq të ulte tensionet, duke deklaruar se trajneri kërkon gjithmonë më shumë nga skuadra dhe se kritikat e tij shërbejnë si motivim.
