Qindra mërgimtarë kosovarë janë bllokuar në pikëkalimin kufitar Bajakovo-Lipovac, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, që prej orës 02:00 të mëngjesit, pa mundur të vazhdojnë udhëtimin.
Një qytetar i pranishëm në vendngjarje ka deklaruar për Klankosova.tv se autoritetet nuk po lejojnë kalimin e automjeteve, ndërsa kolonat janë shumë të gjata dhe pritjet po zgjasin me orë të tëra.
Ai thekson se shumë prej udhëtarëve kanë mbetur pa ushqim dhe ujë, mes tyre edhe familje me fëmijë, të cilat po hasin vështirësi të mëdha për shkak të temperaturave të larta dhe pritjeve të stërzgjatura.
Deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet lidhur me arsyet e bllokimit, as me kohën kur pritet të normalizohet qarkullimi. Udhëtarët, ndërkohë, kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës.
Klankosova.tv ka kontaktuar Ambasadën e Kosovës në Kroaci, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme kroate, për të marrë përgjigje mbi shqetësimin e shfaqur nga mërgimtarët.
