Deponia e Pejës sërish në flakë, deputetja Bajrami kritikon ashpër qeverinë
Deponia rajonale e mbeturinave në Sferkë të Pejës është përfshirë sërish nga flakët, duke shkaktuar shqetësim të thellë dhe ndotje të ajrit. Lidhur me këtë situatë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës për mungesë veprimi dhe neglizhencë.
Në një postim në Facebook, deputetja Bajrami theksoi se banorët e Sferkës, Llutogllavës, Trestenikut, Ruhotit, Nabërgjanit dhe fshatrave përreth po ngulfaten nga tymi i dendur. Ajo shtoi se njerëzit detyrohen t’i mbajnë dyert dhe dritaret mbyllur, ndërsa shqetësimi i tyre për shëndetin personal dhe atë të fëmijëve është jashtëzakonisht i madh.
Deputetja Bajrami u shpreh se Komuna e Pejës nuk mund t’i bëjë ballë e vetme kësaj gjendjeje emergjente. Ajo kërkoi angazhimin urgjent të Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe çdo institucion tjetër relevant që mund të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.
“Ku është Qeveria, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ku është Inspektorati Mjedisor? Pse nuk po mobilizohen të gjitha kapacitetet e shtetit?” pyeti ajo retorikisht. Bajrami theksoi se Inspektorati Mjedisor duhet të dalë menjëherë në terren, të konstatojë shkallën e ndotjes dhe të marrë masa urgjente për ndalimin e funksionimit të deponisë, pasi, sipas saj, aty nuk plotësohet asnjë nga kushtet ligjore për mbrojtjen e mjedisit.
