Fermin Lopez barazon një rekord të shekullit për mesfushorët në La Liga
Ylli i Barcelonës, Fermin Lopez, ka barazuar një rekord të rëndësishëm për mesfushorët në La Liga, që nga fillimi i shekullit XXI, pas një starti të shkëlqyer në sezonin aktual. Këtë e raporton e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo”.
Talenti i dalë nga akademia ‘La Masia’ ka arritur tashmë 12 kontribute direkte në shënimin e golave në 11 paraqitjet e tij të para në La Liga këtë sezon, duke regjistruar shtatë gola dhe pesë asistime.
Që nga viti 2001, asnjë mesfushor tjetër në La Liga nuk ka arritur të ketë më shumë kontribute në gola në 11 ndeshjet e tij të para në këtë garë. Ky sukses e vendos Fermin Lopezin në një grup të zgjedhur lojtarësh. Gjatë kësaj periudhe, vetëm tre raste të tjera janë regjistruar kur mesfushorët në La Liga kanë arritur 12 kontribute në gola brenda 11 ndeshjeve të para të një sezoni.
Ish-mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, kishte regjistruar 12 kontribute në gola (shtatë gola dhe pesë asistime) gjatë sezonit 2011/12, njësoj si Fermin. Ndërkohë, këtë shifër e kishte arritur edhe ish-ylli i Real Madridit, Angel Di Maria, me dy gola dhe dhjetë asistime në të njëjtin sezon. Edhe superylli aktual i Real Madridit, Jude Bellingham, e arriti këtë shifër, duke shënuar dhjetë gola dhe duke asistuar në dy të tjerë në 11 ndeshjet e para të sezonit 2023/24, i cili ishte sezoni i tij i parë me klubin spanjoll.
Fermin e arriti këtë sukses pas paraqitjes së tij vendimtare në fitoren e Barcelonës ndaj Atletico Madridit, para pushimit për ndeshjet e kombëtareve. Mesfushori ofensiv 23-vjeçar shënoi dy gola, ndërsa ‘Blaugranët’ mposhtën skuadrën e Diego Simeones 2-1 në transfertë, në stadiumin Cívitas Metropolitano.
Përfaqësuesi spanjoll kishte shënuar edhe ndaj Deportivo Alavesit, pak ditë para fitores kundër ‘Los Colchoneros’. Në këtë sezon të La Ligës, ai ka shënuar gjithashtu kundër Elches (dy herë), Athletic Clubit dhe Valencias.
Përveç shtatë golave dhe pesë asistimeve në La Liga, Fermin ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asistime në katër ndeshjet e luajtura në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Falë energjisë dhe angazhimit që sjell në fushë, si dhe rrezikut që krijon para portës kundërshtare, Fermin është kthyer në një pjesë thelbësore të skuadrës nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.
