Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se më 26 maj, në Bruksel, Shqipëria do të çelë zyrtarisht fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ky hap vjen pas përmbylljes së suksesshme të fazës hyrëse të procesit.
Gjatë deklaratës së tij të përjavshme, Rama theksoi se një nga pikat kryesore të zhvillimeve ishte diskutimi mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare në Bruksel lidhur me progresin e Shqipërisë pas hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Kreu i qeverisë iu referua edhe opozitës, të cilën e akuzoi se ka ndërmarrë një “ofensivë energjie negative” ndaj Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ai përmendi protestat dhe incidentet në Tiranë, duke theksuar se këto veprime kishin për qëllim dëmtimin e imazhit të vendit në sytë e partnerëve europianë.
Sipas Ramës, opozita pretendonte se rruga europiane e Shqipërisë ishte bllokuar dhe se qeveria ishte izoluar. Megjithatë, ai shtoi se zhvillimet në Bruksel dëshmuan të kundërtën. Rama theksoi se këto pretendime u hodhën poshtë, duke përfunduar se “Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari”, ndërsa opozita humbi “me turp”.
Më tej, kryeministri bëri të ditur se Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e planifikuar për më 26 maj në Bruksel, do të vulosë kalimin në fazën finale të negociatave. Ai theksoi objektivin që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian brenda kësaj dekade. Rama e mbylli deklaratën me një vizion ambicioz, duke shprehur dëshirën për të vendosur “flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar” brenda dekadës aktuale.
