**Ekspertët ndërkombëtarë zbulojnë abuzime në sistemin shëndetësor të Maqedonisë së Veriut: Nëntë nga njëzet operacione në zemër, të kryera pa nevojë**

Një grup ekspertësh ndërkombëtarë ka nxjerrë në pah një skandal në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pasi konstatuan se nëntë nga njëzet pacientë i ishin nënshtruar ndërhyrjeve të panevojshme në zemër.

Këto operacione, siç raporton portali “Republika”, u kryen në dy klinikat publike të kardiologjisë në Shkup, në spitalin e Shtipit, në spitalin “8 Shtatori”, si dhe në tre qendra private: “Kardio Art” në Shtip, spitalin “Zan Mitrev” dhe “Acibadem Sistina” në Shkup. Fatmirësisht, të gjithë pacientët mbijetuan pas trajtimit.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sqaroi se hetimi u krye në 20 raste dhe kishte nisur pas sinjalizimeve të kardiologut të njohur Sasko Kedev. Ky i fundit kishte paralajmëruar për abuzime dhe trajtime të panevojshme, të kryera me qëllim përfitimi të fondeve nga buxheti shtetëror dhe nga vetë pacientët.

Komisioni, i cili zhvilloi 16 takime dhe shqyrtoi hollësisht 20 raste, fillimisht identifikoi dyshime për operacione të panevojshme në 13 prej tyre, siç theksoi ministri Aliu. Në këtë proces ndihmuan edhe mjekë nga Italia dhe Sllovenia. Specialistët e huaj përfundimisht konstatuan se në katër nga këto raste trajtimi i rekomanduar ishte i justifikuar, ndërsa në nëntë rastet e tjera, disa aspekte të trajtimit nuk ishin në përputhje me standardet e pritshme profesionale dhe mund të kenë ndikuar negativisht në rezultatin klinik të pacientëve.