Ekstradohet në Kosovë nga Italia, i dyshuari me fletarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitë tjera relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, më 14 tetor 2026 ka realizuar ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Italia në Kosovë.

Personi i dyshuar ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me një fletarrest ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Ai akuzohet për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”.

Ekstradimi u krye në bazë të ligjeve në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Italisë.

Pas ekstradimit, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse policore të rajonit të Mitrovicës, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.