Pas muajsh të tëra trajtimesh, kimioterapie dhe një operacioni në mushkëri, Arianit Robellit i është dashur të përballet edhe me një tjetër sfidë të rëndë shëndetësore.
Sipas një thirrjeje për ndihmë të publikuar nga familjarët e tij, Arianiti tashmë është në proces të transplantit të qelizave staminale, ndërsa vazhdon betejën kundër sëmundjes NK/T-cell lymphoma.
Familja ka hapur një fushatë në GoFundMe për të mbledhur fondet e nevojshme për përballimin e shpenzimeve të mbetura të transplantit, si dhe për mbulimin e trajtimeve, kontrolleve dhe rikuperimit që do të pasojë.
“Çdo kontribut, sado i vogël, por edhe vetë shpërndarja e kësaj fushate me të tjerët, do të thotë shumë për ne dhe do të bëjë një ndryshim të madh”, thuhet në thirrjen drejtuar qytetarëve.
Familjarët kanë shfrytëzuar gjithashtu rastin për t’i falënderuar të gjithë ata që kanë qëndruar pranë Aranitit dhe e kanë ndihmuar gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë.
“Zoti ju shpërbleftë për çdo ndihmë, për çdo lutje dhe për çdo fjalë mbështetjeje”, thuhet më tej.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë mund ta bëjnë këtë përmes fushatës së hapur në GoFundMe, ndërsa familja ka publikuar edhe të dhënat bankare për kontribute direkte.
Familja apelon për solidaritet dhe mbështetje, duke theksuar se çdo ndihmë, pavarësisht shumës, mund të jetë e rëndësishme për vazhdimin e trajtimit dhe rikuperimin e Arianitit.
