**Kosova drejt dërgimit të trupave në Gazë: FSK-ja në gatishmëri, pret miratimin institucional**
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është në përgatitje për dislokim në Rripin e Gazës, duke pritur vetëm dritën jeshile nga institucionet shtetërore. Ky angazhim bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm që parashikohet të formohet me themelimin e Bordit të Paqes – një iniciativë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
Kosova është zotuar se do të dërgojë trupa në këtë rajon të shkatërruar nga lufta. Përveç vendimit për dërgimin e trupave, Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e vendit në këtë mekanizëm.
Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Jasper Jeffers, ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – përfshirë Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar se do të angazhojnë trupa, me qëllim të ofrimit të sigurisë në Gazë. Megjithatë, publikisht dihet pak se kur saktësisht do të dislokohen ushtarët e FSK-së atje dhe sa do të jetë numri i tyre.
**Bordi i Paqes dhe Forca Ndërkombëtare Stabilizuese**
Bordi i Paqes u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës. Themelimi i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën është pjesë e planit 20-pikësh të Trumpit për të arritur paqe në Gazë. Ky plan u pranua në tetor të vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe u morën qindra pengje. Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, një krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore. Forca Ndërkombëtare Stabilizuese besohet se do të ketë për detyrë ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Përveç Kosovës dhe Shqipërisë, pjesë e Bordit të Paqes janë edhe Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bahreini, Bjellorusia, Bullgaria, Kamboxhia, Egjipti, El Salvadori, Hungaria, Indonezia, Izraeli, Jordania, Kazakistani, Kuvajti, Mongolia, Maroku, Pakistani, Paraguaji, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani dhe Vietnami.
**Hapat deri te finalizimi i procesit**
Funksionalizimi i punës së Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 25 mars, ka hapur një pjesë të rrugës që duhet ndjekur deri te nisja e ushtarëve. Kjo pasi Ligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit parasheh që vendimi në këtë drejtim merret fillimisht nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, propozimvendimi për dislokimin e FSK-së në Gazë është përcjellë për miratim në Qeveri më 3 mars. Pas miratimit aty, vendimi kalon në duart e ligjvënësve dhe në fund duhet të merret edhe miratimi i presidentit të shtetit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes dhe e ka përkrahur plotësisht nismën e Trumpit. Mandati i saj presidencial skadon më 4 prill.
**Mundësitë për angazhim prej muajit maj?**
Transmetuesi publik i Izraelit, KAN, ka raportuar më 14 mars se Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS) do të nisë angazhimin në Gazë që nga muaji maj, përfshirë këtu edhe angazhimin e dhjetëra ushtarëve nga Kosova.
Megjithë interesimin e Radios Evropa e Lirë (REL), Qeveria nuk ka konfirmuar nëse ky informacion është i saktë dhe as nuk ka treguar kur do ta procedojë në Kuvend vendimin për këtë angazhim të FSK-së. Edhe Presidenca e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje lidhur me afatet eventuale për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë në një intervistë për mediumin lokal në Kosovë, Tëvë1, se në Gazë planifikohen të dërgohen “fillimisht mbi 20 ushtarë” të fushave të ndryshme. “Do të dominojë EOD-ja (Njësia për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera) dhe deminimi, që është një specialitet tashmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Do të kemi edhe oficerë dhe nënoficerë nga operacionet speciale, oficerë planifikues që do të jenë të atashuar në komandën e Forcës Stabilizuese, si dhe ekipe mjekësore,” ka deklaruar Maqedonci më 24 mars.
Hollësi për kohën e dislokimit nuk ka dhënë as vetë Bordi i Paqes, duke u thirrur në “siguri operacionale”. “Objektivi kryesor i FNS-së është të stabilizojë mjedisin e sigurisë në Gazë,” thuhet në një përgjigje të bordit drejtuar REL-it.
**Rëndësia e angazhimit ndërkombëtar**
Për kolonelin e pensionuar të FSK-së, Afrim Veselin, numri i trupave që do të dërgohen në Gazë “nuk është aq i rëndësishëm”. Sipas tij, FSK-ja ka oficerë e nënoficerë të përgatitur me standardet e NATO-s dhe ky operacion do t’i hapë Kosovës dhe ushtrisë së saj rrugën në arenën ndërkombëtare. “Kjo do të ndikojë fuqishëm edhe në rrugën tonë drejt NATO-s,” tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Më 24 mars u shënuan 27 vjet nga nisja e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe për të ndalur dhunën kundër shqiptarëve në Kosovë. Veseli thotë se Kosova, përmes angazhimit të saj në Gazë, po kthen “nderin dhe ndihmën që e mori më 1999”. “Nga një vend që më 1999 ishte vetë viktimë, tani Kosova dhe ushtria e saj marrin një operacion të tillë,” tha ai.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, i tha Radios Evropa e Lirë se anëtarësimi i Kosovës në struktura të tilla “forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit dhe thellon bashkëpunimin me aleatët kryesorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. “Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, zhvillime të tilla kontribuojnë në konsolidimin e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe në ruajtjen e mbështetjes së vazhdueshme amerikane, e cila historikisht ka qenë vendimtare për shtetndërtimin dhe sigurinë e Kosovës,” theksoi Kolshi.
**Angazhimet e mëparshme të FSK-së jashtë vendit**
Ky nuk do të ishte dislokimi i parë i pjesëtarëve të FSK-së jashtë vendit. Më 2021, kjo forcë u dërgua në mision në Kuvajt në kuadër të bashkëpunimit me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar. Pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë edhe në trajnime jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit me shtete të ndryshme, duke pasur partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.
FSK-ja aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri, plane që priten të përmbyllen deri më 2028.
