Pentagoni po përgatitet për mundësinë e operacioneve të zgjatura tokësore në Iran
Pentagoni po bën përgatitje për mundësinë e operacioneve tokësore afatgjata në Iran, nëse Presidenti Donald Trump vendos të përshkallëzojë situatën.
Gazeta Washington Post raporton këtë zhvillim, duke cituar disa burime, sipas të cilave operacionet tokësore nuk do të jenë një pushtim në shkallë të gjerë, por më tepër inkursione të kryera nga njësitë speciale dhe trupat e këmbësorisë.
“Është detyra e Pentagonit të bëjë përgatitjet për t’i paraqitur të gjitha opsionet komandantit të përgjithshëm. Kjo nuk do të thotë që presidenti ka vendosur,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ndërkohë, A2 CNN raporton se mediat iraniane bëjnë me dije se sulme me raketa të SHBA-së dhe Izraelit kanë goditur një qytet port iranian pranë Ngushticës së Hormuzit.
Paralelisht, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklarojnë se kanë goditur qendra të përkohshme komande iraniane dhe objekte të prodhimit e magazinimit të armëve në Teheran, në një valë të re sulmesh. Në një postim në platformën X, IDF theksoi se vendet e synuara përfshinin “objekte prodhimi dhe magazinimi të raketave balistike, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe poste vëzhgimi të regjimit iranian.”
Sipas IDF-së, Irani kishte zhvendosur disa qendra komande në vende të përkohshme. “Disa qendra të përkohshme komande u çmontuan, përfshirë ato ku vepronin komandantë brenda selive,” deklaroi IDF në postimin e saj.
