Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim zyrtar Presidenten në detyrë të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi forcimin e FSK-së dhe rrugëtimin e saj drejt të ardhmes euroatlantike.
Në fillim të takimit, Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhjen Presidentes Haxhiu dhe e informoi atë për proceset nëpër të cilat po kalon FSK-ja, arritjet e saj të deritanishme dhe hapat e ardhshëm.
Gjithashtu, ata diskutuan planifikimet e Forcës, duke përfshirë fazën aktuale të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT), procesin e planifikimit afatgjatë të zhvillimit, si dhe sfidat aktuale me të cilat përballet FSK-ja. Më tej, u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në operacionet ndërkombëtare jashtë vendit, një angazhim që e shndërron Republikën tonë në një eksportuese të sigurisë në konflikte të ndryshme globale.
Nga ana e saj, Presidentja në detyrë Haxhiu përgëzoi Gjeneral Jasharin për arritjet e deritanishme të FSK-së dhe për rezultatet e shfaqura në fusha dhe aktivitete të ndryshme ku FSK-ja ka qenë pjesëmarrëse.
Në përfundim të takimit, të dy palët ranë dakord për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën për zhvillimin e mëtejshëm të FSK-së në një forcë moderne dhe profesionale, në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO.
