**Haxhiu fton liderët partiakë për takim konsultativ për Presidentin, ja letra drejtuar Bedri Hamzës**

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike për një takim konsultativ, me qëllim diskutimi mbi zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Takimi është caktuar të mbahet më 18 gusht, ditë e martë, në orën 09:00, në Zyrën e Presidentes.

Në letrën që i është dërguar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, Haxhiu thekson rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për Presidentin.

“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese,” thuhet në letër.

Haxhiu i ka kërkuar Hamzës të konfirmojë pjesëmarrjen e tij ose të një përfaqësuesi të partisë.

Kjo ftesë vjen pas një deklarate të kreut të partisë së saj, Albin Kurti, i cili më parë theksoi se Haxhiu është “e pakënaqur” në pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentes.

Kurti kishte deklaruar dje: “E kemi edhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është shumë e angazhuar dhe e interesuar që kjo të marrë fund. Albulena nuk është një person e cila është duke u kënaqur në pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Ajo është shumë e interesuar që këtë ta marrë një figurë unifikuese, për të cilën merremi vesh të gjithë ne bashkë.”

Deri tani, partitë politike ende nuk i kanë bërë publike përgjigjet e tyre ndaj kësaj ftese.