Gjilan: Inspektorët shqiptojnë gjoba ndaj kompanive që ndotën rrugët me beton
Inspektorët e Komunës së Gjilanit u kanë shqiptuar gjoba dy subjekteve afariste (kompanive), pasi kamionët e tyre kishin ndotur rrugët me beton. Ky veprim vjen pas ankesave të shumta nga qytetarët.
Drejtoria e Inspekcionit bën me dije se, bazuar në ankesat e pranuara nga qytetarët, ka ndërmarrë veprime konkrete, duke gjobitur dy subjekte afariste, meqenëse automjetet e tyre kishin ndotur sipërfaqet rrugore me beton.
“U bëjmë thirrje të gjithë shoferëve dhe operatorëve që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të tregojnë kujdes të shtuar në ruajtjen e mjedisit dhe pastërtisë publike,” deklaruan inspektorët e Komunës së Gjilanit. Ata shtuan: “Rrugët dhe hapësirat publike janë pasuri e përbashkët dhe mirëmbajtja e tyre është përgjegjësi e secilit prej nesh.”
Drejtoria e Inspekcionit thekson se inspektorët do të vazhdojnë të jenë në terren dhe të shqiptojnë gjoba ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat dhe ndotin mjedisin.
