Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën ligjore të paraqitur nga mbrojtësja e Ratko Kragoviç, njërit prej të dyshuarve për krime lufte kundër popullatës civile.
Kërkesa synonte kundërshtimin e vendimeve të mëparshme të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin caktuar masën e paraburgimit për Kragoviçin dhe disa të pandehur të tjerë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kishte caktuar paraburgim njëmujor për Kragoviçin, së bashku me Goran Tomasheviçin, Sinisha Tomasheviçin dhe Predrag Tomaseviçin. Të gjithë janë të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”. Një tjetër i dyshuar, Nebojsha Tomasheviç, ishte liruar për t’u mbrojtur në liri. Vendimi i shkallës së parë për paraburgim ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila refuzoi ankesën e mbrojtjes.
Mbrojtësja e Kragoviçit, Jelena Kragoviç, kishte argumentuar se dosja e rastit nuk përmban prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar ndaj klientit të saj dhe se caktimi i paraburgimit ishte bërë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit të lëndës dhe argumenteve të palëve, Gjykata Supreme vlerësoi se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë ishte e pabazuar. Sipas Gjykatës Supreme, provat e mbledhura deri në këtë fazë të procedurës krijojnë dyshim të bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet. Gjithashtu, u vlerësua se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke përfshirë rrezikun e arratisjes, mundësinë e pengimit të procesit penal dhe ndikimin te dëshmitarët ose bashkëpandehurit.
Kujtojmë se personat e përmendur prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos vërtetohet me një vendim gjykate të formës së prerë.
