Xhaka: Ky Botëror do të jetë më i miri për Zvicrën
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka deklaruar me bindje se Kupa e Botës aktuale do të shënojë performancën më të mirë të Zvicrës në histori. Ai theksoi të premten se skuadra pret me padurim nisjen e rrugëtimit të saj kundër Katarit dhe është e gatshme të zhvillojë një Botëror historik, por vuri në dukje rëndësinë që lojtarët ta shijojnë plotësisht momentin.
Për Xhakën, ky është Botërori i tij i katërt. Ai u shpreh se zviceranët janë plot besim dhe “e dëshirojnë këtë më shumë se kurrë më parë”, ndërsa do të japin gjithçka për një fitore ndaj kampionit të Azisë, Katarit, në sfidën e së shtunës në Santa Clara.
“Në futboll gjithmonë flasim për aspektet taktike, por duhet edhe ta shijosh momentin. Mendoj se kjo është një nga gjërat më të rëndësishme në futboll, të dalësh në fushë dhe të ndihesh i lirë,” deklaroi Xhaka në një konferencë për shtyp.
Ai shtoi: “Ne thjesht duam të japim maksimumin nesër. Duam të luajmë mirë për Zvicrën dhe për familjet tona. Nesër do të bëjmë hapin e parë të rëndësishëm. Ky do të jetë Botërori ynë më i mirë. Tani jemi të paduruar. Jemi plotësisht të përgatitur. Jemi gati fizikisht dhe mendërisht.”
Zvicra merr pjesë në Botërorin e saj të gjashtë radhazi, një arritje që në Evropë është realizuar vetëm nga Franca, Spanja, Anglia, Portugalia dhe Gjermania. Megjithatë, ndryshe nga këto kombëtare, zviceranët kanë pasur rezultate modeste, pasi në pesë nga gjashtë Botërorët e fundit janë eliminuar në fazën e 1/8 së finales. Herën e fundit që arritën në çerekfinale ishte në vitin 1954.
Një fitore ndaj Katarit do ta vendoste Zvicrën në krye të Grupit B, përpara Bosnjës dhe bashkëorganizatorit Kanadasë, të cilët barazuan 1-1 të premten.
Xhaka, 33 vjeç, është figura kyçe e ekipit zviceran dhe lojtari me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares. Ai pritet të kalojë shifrën e 150 ndeshjeve me fanellën e Zvicrës gjatë këtij Botërori. Sfidën e së shtunës, nëse aktivizohet, ai së bashku me mbrojtësin Ricardo Rodriguez do të vendosin një rekord kombëtar me nga 13 paraqitje në Kupën e Botës.
Trajneri Murat Yakin theksoi se skuadra aktuale ka cilësinë e nevojshme për të bërë paraqitje të mira në Botëror dhe se synimi i tij është që ta sulmojë Katarin që në fillim të ndeshjes. Ai shtoi se skuadra e tij, ku 17 lojtarë morën pjesë edhe në Botërorin e kaluar, ka mësuar shumë nga ai turne, të cilin e mbylli në 1/8 e finales pas humbjes së thellë 6-1 nga Portugalia.
“Rreth dy të tretat e lojtarëve të ekipit tim kanë luajtur tashmë në një turne të madh,” tha Yakin. “Ne i kemi mësuar leksionet nga e kaluara. Tani, katër vjet më vonë, kemi më shumë përvojë. Gjërat i bëjmë më mirë.”
