PSG synon Ferran Torresin, transferimi kushtëzohet nga largimi i Barcolës

Paris Saint-Germain po shqyrton me seriozitet mundësinë e transferimit të Ferran Torresit gjatë merkatos së verës, por kjo lëvizje varet plotësisht nga e ardhmja e Bradley Barcolës te klubi francez.

Sipas gazetarit të njohur italian, Gianluca Di Marzio, kampionët francezë e kanë vendosur sulmuesin e Barcelonës në listën e objektivave të tyre për fazën sulmuese.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se interesi i PSG-së për spanjollin do të thellohet vetëm nëse Bradley Barcola largohet nga “Parc des Princes” këtë verë. Drejtuesit e klubit parisien po analizojnë të gjitha mundësitë dhe Ferran Torres shihet si një lojtar që mund të përshtatet me vizionin sportiv të skuadrës.

Torres ka qenë një pjesë kyçe e Barcelonës në vitet e fundit, duke shfaqur fleksibilitet në sulm, pasi mund të luajë në pozicione të ndryshme. Kjo aftësi e bën atë një zgjedhje tërheqëse për PSG-në, e cila po vlerëson opsione të ndryshme në rast të ndryshimeve në përbërje.

Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur negociata konkrete mes palëve, pasi prioriteti kryesor i PSG-së mbetet zgjidhja e situatës së Barcolës. Vetëm pas një largimi të mundshëm të lojtarit francez, klubi do të vendosë nëse do të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar shërbimet e Ferran Torresit.