Angel Perez: Një natë historike që do t’ua tregoj fëmijëve të mi

Futbollisti Angel Perez e cilësoi fitoren 2-1 të Alavesit ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu” si një mbrëmje të paharrueshme, pasi shënoi golin e dytë dhe vendimtar për ekipin mysafir në triumfin e rëndësishëm në La Liga të shtunën.

Mbrojtësi i krahut të djathtë shënoi në minutën e 61-të, pasi mori një pasim nga ish-sulmuesi i Real Madridit, Mariano Diaz, përpara se të driblonte portierin Thibaut Courtois.

Pas ndeshjes, Perez me vështirësi përmbajti emocionet, duke ia atribuuar suksesin angazhimit kolektiv të skuadrës së drejtuar nga Quique Sanchez Flores.

“Son­te është një nga ato mbrëmje për të cilat, në dashtë Zoti, do t’u tregoj fëmijëve të mi. Nuk po gjej fjalë. Po dridhem. Kjo është e paçmueshme. Kemi bërë histori me ‘Glorioson’. E kemi merituar”, deklaroi ai.

Ai shtoi se rezultatet e fundit të ekipit nuk i kishin bërë drejtësi punës së palodhur të futbollistëve, duke e bërë fitoren ndaj Real Madridit edhe më domethënëse.

“Ecuria jonë nuk i reflektonte drejtësisht punën që po bënte skuadra dhe sot e dëshmuam këtë”, theksoi Perez.

I pyetur për kontributin e tij personal, Perez vlerësoi përpjekjet e të gjithë lojtarëve, si atyre që e nisën ndeshjen nga fillimi, ashtu edhe atyre që u aktivizuan nga stoli.

Alavesi u detyrua të përballej me presion të shtuar pasi Real Madridi, përmes Kylian Mbappe (sic), ngushtoi epërsinë në minutën e 69-të.

“E gjithë skuadra shkëlqeu. Po të mos ishte për 11 futbollistët që e nisën ndeshjen, si dhe për të gjithë ata që ishin në stol, nuk do t’ia kishim dalë”, theksoi ai.

Perez foli edhe për reagimin e futbollistëve të Alavesit ndaj polemikave të minutave të fundit, që përfshinë një penallti të akorduar fillimisht për Real Madridin dhe më pas përjashtimin e Jude Bellinghamit.

Gjyqtari fillimisht akordoi një penallti për Real Madridin, por e anuloi vendimin pas rishikimit të pamjeve në VAR, ndërsa më pas e përjashtoi Bellinghamin me kartonin e dytë të verdhë.

“Në fund kemi një ekran ku mund ta shohim menjëherë situatën dhe kërkuam ta shihnim, sepse kështu veprojmë gjithmonë”, përfundoi ai.