**Hoti propozon Kujtim Shalën kryetar të LDK-së dhe Hykmete Bajramin kandidate për kryeministre**
Avdullah Hoti, ish-kryeministër dhe deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka shpalosur publikisht propozimin e tij për udhëheqjen e re të partisë.
Hoti deklaroi se angazhimi i tij politik synon që Kujtim Shala të bëhet kryetar i ri i LDK-së, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidatja e partisë për kryeministre.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Hoti theksoi: “Dua ta bëj publik vizionin tim për udhëheqjen e ardhshme të LDK-së, me të cilën do t’i qasemi suksesshëm zgjedhjeve të ardhshme. Kjo përfshin zgjedhjen e një kryetari të ri të LDK-së, i cili është Kujtim Shala.”
Ai nënvizoi se Shala është figura që ai mbështet për drejtimin e partisë. “Angazhimi im, së bashku me kolegët, është që bartëse e listës dhe kandidatja jonë për kryeministre të jetë Hykmete Bajrami,” shtoi Hoti.
Sipas Hotit, Shala dhe Bajrami janë dy emrat më të besueshëm rreth të cilëve mund të bashkohet LDK-ja. “Kam bindjen e thellë se këta janë emrat më të besueshëm për opinionin publik, të cilëve do t’u bashkohemi të gjithë, pa asnjë përjashtim,” u shpreh ai.
Hoti theksoi se propozimi për ndryshimin e udhëheqjes nuk nënkupton përjashtimin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhikut. “Imagjinoni një LDK të udhëhequr nga Kujtim Shala, me Hykmete Bajramin kandidate për kryeministre dhe bartëse liste, pa përjashtuar Lumirin. Absolutisht, kjo është e pamendueshme,” deklaroi Hoti.
Ai shtoi se edhe Abdixhiku, bashkë me figura të tjera të partisë, duhet të jenë pjesë e ekipit të ri, duke argumentuar se një bashkim i tillë do t’i mundësonte LDK-së të paraqitej me një ekip të fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme.
Hoti shprehu bindjen se rreth Shalës dhe Bajramit mund të arrihet bashkimi i LDK-së në të gjitha degët e saj. “Jam i bindur se rreth këtyre dy figurave, njërit si kryetar i LDK-së dhe zonjës Bajrami si bartëse e listës dhe kandidate për kryeministre, LDK-ja do të bashkohet nga Dragashi në Kamenicë dhe nga Podujeva në Prizren,” theksoi Hoti.
