**Hoti kritikon ashpër rishikimin e buxhetit: Në kundërshtim me ligjin dhe abuzim me fonde publike**
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, deklaroi se qasja e qeverisë për rishikimin e buxhetit është abuzive me fondet publike dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Opozita nuk ka mbështetur shmangien e procedurave standarde për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Hoti kritikoi gjithashtu “mungesën e etikës” nga ministri i Financave, Hekuran Murati, duke theksuar se ai “ngjitet në foltore dhe deklaron se kjo është në përputhje me ligjin”.
“Nuk mund ta prezantoni këtë para opinionit publik si diçka në përputhje me ligjin dhe të prisni që të vazhdohet. Kjo procedurë përbën shkelje ligjore. Madje, edhe sikur ky rishikim të ishte në përputhje me ligjin, ai sërish do të ishte abuzim me paranë publike, sepse si mund t’i mbroni qytetarët me 122 milionë euro pa asnjë arsyetim se ku do t’i merrni dhe si do t’i shpenzoni? Në bazë të cilit ligj do t’i autorizoni ato 122 milionë euro?”, pyeti Hoti.
Hoti shtoi se nuk ka parë “qasje më abuzive dhe joserioze”, dhe më pas bëri një krahasim me deklaratën e deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, i cili pak më herët kishte shprehur pritshmëri më të mëdha nga ministri Murati.
“Unë nuk kam pritshmëri të tjera. Deputeti Gruda kishte pritshmëri të tjera, ndoshta është deputet më i ri dhe ka pritshmëri të tjera prej jush. Por unë jam mësuar me ju. Abuzim pas abuzimi, shkelje ligjore pas shkeljes ligjore,” përfundoi Hoti.
