**Humbje masive: Swiss Steel redukton vendet e punës në Gjermani**
Grupi i çelikut “Swiss Steel”, me seli në Lucern, ka njoftuar një ristrukturim të thellë të veprimtarisë së tij, si pasojë e humbjeve të konsiderueshme financiare.
Sipas drejtorit ekzekutiv, Frank Koch, ky ristrukturim do të prekë operacionet në Gjermani, duke sjellë një reduktim të mëtejshëm të vendeve të punës.
Në një intervistë për gazetën “SonntagsZeitung”, Koch nuk dha shifra konkrete lidhur me numrin e punonjësve që do të shkurtohen. Ky hap, theksoi ai, synon të zvogëlojë ndjeshëm varësinë e kompanisë nga industria e automobilave.
Qëllimi i “Swiss Steel” është që objektet e prodhimit të riorganizohen në mënyrë të tillë që të arrijnë sërish fitime operacionale, edhe në një treg që ka pësuar tkurrje të ndjeshme.
Vitin e kaluar, grupi regjistroi një humbje prej 311 milionë eurosh, pas një humbjeje prej 197 milionë eurosh në vitin paraardhës.
Koch theksoi se “Swiss Steel” tashmë ka përgjysmuar numrin e punonjësve, nga 13,000 në 6,500, dhe me masat e reja, ky numër do të reduktohet sërish. Përmirësimi i bilancit financiar është një tjetër objektiv kyç, ndonëse kompania nuk ofron detaje të mëtejshme. “Plani ynë është të kthehemi në zonën e fitimit operativ duke filluar nga viti 2028,” citohet Koch nga albinfo.ch.
Veprimtarinë po e vështirësojnë edhe masat e reja mbrojtëse të Bashkimit Evropian kundër importeve të çelikut. Sipas Koch, kuota e eksportit pa tarifa për Zvicrën është reduktuar me rreth 35 për qind, duke prekur sidomos degën në Lucern. “Swiss Steel” është në kontakt me BE-në dhe qeverinë zvicerane, dhe “ekziston shpresë realiste për një zgjidhje,” deklaroi drejtori ekzekutiv.
Në vitin 2025, “Swiss Steel” u çregjistrua nga bursa zvicerane SIX, si pasojë e ristrukturimeve dhe riorganizimeve të gjera të ndërmarra në vitet e shkuara.
