**Arrestohet në Shqipëri i dënuari me 21 vite burg në Itali; nis procedura e ekstradimit**

Një person me rrezikshmëri të lartë, i kërkuar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Tiranë.

Sipas njoftimit të Policisë, i arrestuari është Orando Çeta, 40 vjeç, banues në Tiranë. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Triestes në Itali me 21 vite, 9 muaj e 20 ditë heqje lirie, për një sërë veprash penale.

Këtu përfshihen: vjedhje të rënda, mashtrim, trafikim i lëndëve narkotike, posedim i pasurisë me origjinë kriminale, plagosje, kanosje dhe kundërshtim ndaj punonjësve të policisë.

Çeta u lokalizua dhe u arrestua në zonën e Saukut.

Nga dënimi i përgjithshëm, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 20 vite e 6 muaj burg. Aktualisht, po kryhen procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Italisë.