**Hansi Flick, mes dhimbjes së thellë dhe lavdisë: Një ditë që s’do ta harroj kurrë**

Trajneri Hansi Flick përjetoi një nga momentet më emocionuese të jetës së tij pas triumfit të Barcelonës ndaj Real Madridit, një fitore që i siguroi klubit katalunas titullin kampion në La Liga.

Trajneri gjerman nuk i fshehu emocionet pas ndeshjes, duke e cilësuar atë si një ditë të paharrueshme në karrierën dhe jetën e tij.

Suksesi në Klasiken spanjolle kishte një domethënie të veçantë për Flick, pasi vetëm pak orë para ndeshjes, ai kishte marrë lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të babait të tij.

Pavarësisht dhimbjes personale, trajneri vendosi të ishte në stol për të udhëhequr skuadrën në një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit.

“Ishte një ditë e vështirë. Një ditë që nuk do ta harroj kurrë,” – u shpreh 61-vjeçari pas ndeshjes.

Pas vërshëllimës finale, emocionet shpërthyen. Tifozët e Barcelonës i thërrisnin emrin në stadiumin “Camp Nou”, ndërsa lojtarët ia dedikuan suksesin trajnerit të tyre.

Mesfushori Pedri ka deklaruar se titulli ishte “për të atin e Flickut, atje lart në qiell.”

Flick ka krijuar një lidhje të veçantë me mjedisin katalunas që prej ardhjes së tij në klub.

Vetë trajneri kishte pranuar muaj më parë se Barcelona e kishte ndryshuar emocionalisht.

“E dua këtë klub, qytetin dhe njerëzit këtu,” – ishte shprehur ai në një intervistë që pati jehonë të gjerë në Spanjë.

Nën drejtimin e tij, Barcelona ka rigjetur identitetin fitues dhe këtë sezon ka arritur të fitojë trofe, duke rikthyer entuziazmin te tifozët.

Flick e përshkroi skuadrën si “një familje”, duke theksuar shpirtin e grupit dhe unitetin e krijuar në dhomat e zhveshjes.

Për trajnerin gjerman, kjo fitore ndaj rivalit historik nuk ishte vetëm një sukses sportiv, por një moment thellësisht njerëzor dhe emocional që do ta mbajë mend gjatë. (Burimi: Gazeta Express)