Irani ka vendosur kushte për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërkohë që marrëveshja me Omanin është drejt përfundimit.
Irani ka njoftuar se po i afrohet një marrëveshjeje përfundimtare me Omanin, e cila do të përcaktojë itineraret e reja të lundrimit përmes ngushticës strategjike të Hormuzit.
Megjithatë, Teherani ka theksuar se ngushtica nuk do të rihapet për kalim të sigurt derisa Shtetet e Bashkuara të përmbushin disa kërkesa, përfshirë dëmshpërblimet, heqjen e sanksioneve dhe ndërprerjen e kërcënimeve ushtarake.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi të dielën se marrëveshja me Omanin ndodhet në “fazat përfundimtare”.
Sipas tij, dokumenti do të përcaktojë rrugët e reja të transportit detar që do të përdoren pas plotësimit të kushteve të vendosura nga Irani dhe rihapjes së ngushticës, raporton Reuters.
Një zyrtar amerikan kishte deklaruar të premten se Irani dhe Omani ishin pranë një marrëveshjeje që mund të mundësonte rikthimin e kalimit të sigurt përmes Hormuzit, një prej arterieve kryesore botërore për transportin e naftës dhe gazit.
Ndërkohë, Irani dhe SHBA-ja nuk po zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta, transmeton Klankosova.tv. Araqchi theksoi se Teherani nuk do të nisë negociata të drejtpërdrejta për sa kohë Uashingtoni, sipas tij, nuk zbaton një marrëveshje të përkohshme të nënshkruar në qershor. Megjithatë, mes dy palëve po shkëmbehen mesazhe nëpërmjet ndërmjetësuesve.
