**Arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH ndez debate në Komisionin e Ligjeve: Opozita: “Ka rënë shteti”, Maxhoranca: “T’i përmbahemi rendit të ditës”**

Arrestimi i djeshëm i Vlora Hysenit, ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), ka shkaktuar debate të ashpra sot në Komisionin Parlamentar të Ligjeve në Shqipëri. Ndërsa opozita kërkoi ndërprerjen e rendit të ditës për të diskutuar këtë çështje, maxhoranca insistoi në vazhdimin e punimeve sipas planit.

Me nisjen e mbledhjes, ku ishte parashikuar diskutimi mbi ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, theksoi se në qendër të çdo diskutimi, jo vetëm në këtë Komision, por në të gjitha komisionet, duhet të ishte arrestimi i ish-kreut të SHISH.

Të njëjtin qëndrim me Bylykbashin ndau edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi, i cili me ton të lartë deklaroi: “Ka rënë shteti sot, e dini ju apo jo. Çfarë të bëjmë tani, ne të rrimë dhe të ndajmë këtu kooperativat, si urdhërohet!”

Ndërkohë, kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, u kërkoi dy anëtarëve të opozitës t’i përmbaheshin rendit të ditës, duke argumentuar se projektligji i paraqitur ishte më i rëndësishmi për Komisionin e Ligjeve.

Gjatë debatit, Bylykbashi vijoi duke argumentuar se kalendari i miratuar për procesin e ndarjes administrativo-territoriale ishte në shkelje të Kushtetutës dhe në kundërshtim me interesin e qytetarëve. Ai theksoi se “rendi i ditës sot, jo vetëm në këtë komision, por në çdo komision është skandali i djeshëm, zoti kryetar.” Sipas tij, “reforma që sjellin për t’ia nxirë jetën më shumë shqiptarëve ka për sfond skandalin e djeshëm. Kreu i SHISH arrestohet nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar.” Ai e quajti situatën qesharake dhe shtoi se “ky shtet është i krimbur nga koka te këmbët.” Më tej, Bylykbashi akuzoi se “ky parlament diskuton për seksin e engjëjve,” ndërsa “krimi i organizuar ka depërtuar në nyjet nevralgjike kryesore të shtetit, si SHISH, AKSHI, Kadastra, ministritë, sistemi i prokurimit.” Përgjegjësinë kryesore për këtë gjendje Bylykbashi ia atribuoi kryeministrit Edi Rama, si arkitekt i “konceptit të centralizimit të pushtetit”, dhe e përshkroi ngjarjen e djeshme si “vetëm një puçërr e sistemit që është i infektuar në të gjitha qelizat, me një emër infeksioni, Edi Rama.”

Manja iu përgjigj duke theksuar sërish nevojën për të vazhduar me rendin e ditës, pasi “nuk mendoj që ka projektligj më të rëndësishëm për komisionin tonë sesa ky i sotmi dhe nuk duhet kurrsesi që ne të ulim vlerën e kësaj mbledhje dhe këtij institucioni me veprimtarinë normale të institucioneve në një shtet demokratik.”

Nga ana e tij, Korreshi shtoi se ndërrimi i sallës së mbledhjes e kishte bërë të mendonte se “kishte ardhur Bajromi, për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, se ka rënë shteti.” Ai ironizoi duke pyetur: “Ne vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, do ndajmë hartën thotë, kooperativa bujqësore të tipit të lartë apo të tipit të mesëm?” Korreshi ngriti pyetjen nëse Kuvendi ka prioritete kur “bie siguria kombëtare,” duke theksuar se “ai që na mbronte nga të jashtmit dhe agjenturat është në burg se tregonte vetë dhe ai që ishte i brendshmi na çonte te krimi.”

Manja, në përfundim, iu dha të gjithë deputetëve nga dy minuta për të shprehur mendimet e tyre lidhur me arrestimin e djeshëm, por theksoi se pas kësaj do të fillonte diskutimi për rendin e ditës, duke ritheksuar rëndësinë e projektligjit në fjalë.