**Karim Benzema, afër rikthimit të bujshëm në La Liga?**

Real Betis ka shfaqur interes për Karim Benzeman, duke kërkuar të forcojë sulmin në këtë fazë të fundit të merkatos dimërore. Një lëvizje e tillë varet nga mundësia që sulmuesi 36-vjeçar të zgjidhë kontratën me Al-Ittihad, me të cilin ka një marrëveshje deri më 30 qershor 2027.

Kjo mundësi vjen si pasojë e situatës së Benzemas në Arabinë Saudite. Al-Ittihad po shqyrton mundësinë për të ndërprerë bashkëpunimin me francezin, vetëm gjashtë muaj pas transferimit të tij. Nëse kontrata e tij zgjidhet, Benzema do të ishte në gjendje të negocionte si lojtar i lirë me çdo klub të interesuar.

Sipas ‘Elgoldigital’, Real Betis po vlerëson seriozisht mundësinë për të afruar Karim Benzeman, nëse ai bëhet i lirë. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet ana financiare.

Sulmuesi do të duhej të pranonte një ulje të ndjeshme të pagës që merr aktualisht në Arabinë Saudite, në mënyrë që transferimi i tij të përputhej me mundësitë ekonomike të Betisit.

Fillimisht, duhet të zgjidhet situata e tij kontraktuale. Benzema synon të marrë shumat që i takojnë për vitet e mbetura të kontratës, ndërsa klubi saudit ka nevojë të lirojë një vend në skuadër përpara se të transferojë një tjetër sulmues.

Pavarësisht pasigurisë rreth së ardhmes, francezi vazhdon të shënojë gola. Benzema ka realizuar nëntë gola në 13 ndeshjet e para me Al-Ittihad, duke gjetur rrugën e rrjetës edhe në ndeshjen hapëse të sezonit të ri të Superligës Arabe, në fitoren 4-2 ndaj Al-Faisalyt.