Dasma e Klajdi Harunit: Flori Mumajesi, surpriza e madhe e mbrëmjes

Dasma e këngëtarit Klajdi Haruni pritet të jetë një nga ngjarjet më të diskutuara të këtij sezoni veror. Lajmin e martesës së tij e bëri publike partnerja e tij, Orgesa Haruni, gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”.

Orgesa konfirmoi se çifti do të kurorëzojë dashurinë e tyre në muajin qershor, duke ndarë edhe disa detaje rreth ceremonisë. Ajo theksoi se vetë Klajdi do të performojë në dasmën e tij, duke shtuar një notë personale dhe festive në mbrëmje.

Megjithatë, surpriza më e madhe e zbuluar ka të bëjë me praninë e Flori Mumajesit. Orgesa tregoi se artisti do të jetë pjesë e listës së këngëtarëve që do të performojnë gjatë dasmës, një njoftim që ka ngjallur menjëherë interes të madh te publiku.

Prej një periudhe të gjatë, Flori Mumajesi është larguar nga jeta publike dhe shfaqjet e tij kanë qenë të rralla. Për këtë arsye, prania e tij në këtë dasmë konsiderohet një rikthim i veçantë, qoftë edhe për një mbrëmje, për fansat që prej kohësh kanë shfaqur interes për aktivitetet e artistit.