LeBron James befason botën e basketbollit, firmos me Philadelphia 76ers

Ylli i basketbollit, LeBron James, ka surprizuar botën e sportit duke njoftuar ekipin e tij të ri pas largimit nga Los Angeles Lakers. James do t’i bashkohet Philadelphia 76ers, duke nënshkruar një kontratë dyvjeçare. Marrëveshja parashikon një pagë prej 8 milionë eurosh në sezon për legjendën e NBA-së.

Vendimi i 41-vjeçarit vjen pas një dileme të madhe, të cilën ai e ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale. James zbuloi se në përfundim të sezonit të kaluar, kishte menduar seriozisht të tërhiqej nga basketbolli profesionist.

Në një deklaratë të gjatë dhe emocionale, James shpjegoi arsyet që e çuan në këtë lëvizje surprizuese:

“Mendova se gjithçka kishte përfunduar kur mbaroi sezoni. … Nuk isha gati ta bëja publik vendimin dhe e dija se më duhej kohë për ta menduar mirë, por thellë-thellë besoja se ndeshja e fundit ishte edhe e fundit e karrierës sime,” u shpreh ai. “Isha i sinqertë në konferencën e fundit për media kur thashë se duhej të shikoja brenda vetes dhe të vendosja nëse ende e dua këtë lojë. E vërteta është se unë ende e dua këtë sport dhe ndiej se kam ende shumë për të dhënë.”

Ai theksoi se javët e fundit i kaloi duke reflektuar, pa asnjë plan konkret, për të gjetur përgjigjen e duhur.

“Ky është vendimi im përfundimtar. Nuk po luaj për para. Nuk po luaj për familjen. Pyetja që i bëra vetes ishte: Për çfarë po luaj në këtë pikë të karrierës? Përgjigjja është e qartë. Ende dua të sakrifikoj. Ende dua të punoj fort. Ende dua të stërvitem pa u kursyer. Ende dua të garoj, të fitoj dhe të kem mundësinë ta përjetoj edhe një herë ndjesinë e ngritjes së një titulli kampion,” deklaroi ylli i basketbollit.

Duke iu referuar ekipit të ri, James shfaqi besim të plotë:

“Besoj se mund ta ndihmoj Philadelphia 76ers të bëhet një skuadër kampione dhe jam jashtëzakonisht i emocionuar që do të nis këtë rrugëtim të ri me këtë tifozëri. Kjo do të jetë aventura ime e fundit,” shtoi ai.

Në fund të mesazhit, James ndau një mesazh falënderimi për ish-ekipet dhe vendet e rëndësishme në karrierën dhe jetën e tij.

“Faleminderit, Los Anxhelos. Miami do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time, ndërsa Verilindja e Ohajos do të mbetet përgjithmonë shtëpia ime,” përfundoi ai.