Zvonimir Boban kritikon Yamalin pas eliminimit të Barcelonës: “Nuk mund të jetë i lodhur në atë moshë”

Barcelona u eliminua nga çerekfinalet e Ligës së Kampionëve pas përballjes me Atletico Madridin. Pavarësisht një pjese të parë të fuqishme, ku skuadra katalanase neutralizoi disavantazhin e dyfishtë nga ndeshja e parë, nuk arriti të sigurojë kualifikimin, duke ia lënë fitoren dhe kalimin ekipit madrilen. Pas këtij eleminimi, legjenda e futbollit dhe ish-mesfushori Zvonimir Boban, sot president i Dinamo Zagrebit, ka komentuar ndeshjen dhe paraqitjen e disa lojtarëve, me theks të veçantë te Lamine Yamal.

I pranishëm në studiot e Sky Sport, Boban e shprehu analizën e tij për ndeshjen në “Metropolitano”.

“Barcelona ushtroi një presion të jashtëzakonshëm në pjesën e parë, sulmoi dhe krijoi me një intensitet thuajse të papërballueshëm. Por, në pjesën e dytë u pa qartë se nuk mundi ta mbante atë ritëm. Ndërkohë, Atletico mbeti i pandryshueshëm, madje edhe u rrit në lojën e tij,” theksoi ai.

Më pas, Boban u ndal te performanca e talentit të ri, Lamine Yamal.

“Pashë Yamalin të lodhur, të papërgatitur. Në atë moshë, kjo nuk duhet të ndodhë. Pa praninë e tij efektive në pjesën e dytë, Barcelona e pati të vështirë të krijonte raste,” deklaroi Boban.

Legjenda kroate shtoi se, çuditërisht, katalanasit krijuan më shumë raste pasi u përjashtua Garcia, sesa në pjesën e mbetur të pjesës së dytë, pavarësisht dominimit të tyre në fraksionin e parë të lojës.