Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të minimizojë çështjen dhe të mbrojë ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, pas hetimeve të nisura nga SPAK ndaj saj dhe caktimit të masave të sigurisë. Këto deklarata Berisha i bëri gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë.

Berisha, gjithashtu, akuzoi prokurorinë se nuk e ka cilësuar Hysenin si pjesë të një grupi të strukturuar kriminal, megjithëse akuzat ndaj saj përfshijnë nxjerrjen e sekretit shtetëror dhe ndihmën ndaj një personi të dyshuar për veprimtari kriminale.

Sipas tij, kryeministri Rama po përpiqet t’i paraqesë komunikimet e bëra publike si një “aferë dashurie”, ndërsa theksoi se Hyseni “çdo hap dhe çdo vendim e ka ndërmarrë me dijeninë dhe porosinë e Edi Ramës.”

Berisha u shpreh se “Edi Rama, duhet të jeni të sigurt, ka qenë i informuar për gjithçka, madje ai dhe jo vetëm ai, ishte në dijeni të çdo hapi të ish-drejtueses së SHISH.” Ai shtoi se po tentohet që kjo çështje, pavarësisht rolit serioz të SHISH si një shërbim thelbësor në kuadrin e bashkëpunimit me NATO-n dhe me partnerët kryesorë ndërkombëtarë në fushën e sigurisë, të paraqitet përmes disa transkripteve si një “aferë dashurie”. Megjithatë, kreu i PD-së pretendoi se “Vlora Hyseni çdo hap dhe çdo vendim e ka ndërmarrë me dijeninë dhe porosinë e Edi Ramës.”

Ai akuzoi Hysenin se ka cënuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe se synimi i saj ishte të vepronte kundër Kosovës, duke kujtuar shkarkimin e saj të mëparshëm nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës.

“Qëndrimi i Hysenit”, shtoi Berisha, “përbën një shkelje flagrante të besimit të partnerëve tanë. Është e turpshme që personi që ndërtonte ura bashkëpunimi me shërbimet më serioze, rezultoi të jetë një skllave e mjerë e mafies shqiptare dhe Ergys Agasit.”

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Rama, Berisha e cilësoi atë si “padrino”, duke ritheksuar se kreu i qeverisë po përpiqet të minimizojë seriozitetin e çështjes.

“Nëse këta janë të ndotur, ti je thelbi i ndotjes; nëse këta janë llum, ti je burimi i llumit; nëse këta janë mafiozë, ti je padrinoja që vepron sikur kjo nuk është ndonjë gjë e madhe,” tha Berisha, duke shtuar se “ajo (Hyseni) në pozicionin e saj kishte në dorë të gjitha sekretet e shtetit dhe të NATO-s që vinin në këtë shtet.”