Mbipesha: Një Faktor Kyç në Zhvillimin e Kancerit, Studimi Zbulon Rritje të Rasteve të Lidhura

Lidhja midis mbipeshës dhe zhvillimit të kancerit nuk është më thjesht një teori, por një fakt i konfirmuar shkencërisht. Një studim i fundit ka nxjerrë në pah se mbipesha dhe mungesa e aktivitetit fizik kanë një ndikim thelbësor dhe negativ në shfaqjen e kancerit.

Organizata britanike për Kërkimet mbi Kancerin (Cancer Research UK) ka zbuluar se mbi një e treta e të gjitha rasteve të kancerit në Mbretërinë e Bashkuar, ose rreth 135,000, ishin të parandalueshme.

Organizata thekson se pesha e tepërt ose obeziteti shkaktoi 6.3% të rasteve të kancerit, një rritje nga 5.5% në vitin 2011. Në të njëjtën kohë, rastet e kancerit të lidhura me pirjen e duhanit kanë shënuar rënie. Përballë këtyre të dhënave, Cancer Research UK ka bërë thirrje për më shumë veprime për të adresuar “kërcënimin shëndetësor” që paraqet obeziteti.

Në Mbretërinë e Bashkuar, studimi tregoi se Skocia kishte përqindjen më të lartë të kancereve të parandalueshme me 41.5%, e ndjekur nga Irlanda e Veriut (38%), Uellsi (37.8%) dhe Anglia (37.3%).

Duhanpirja mbetet shkaku kryesor i kancerit të parandalueshëm në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse përqindja e saj ra nga 19.4% në 2011 në 15.1%. Faktori i dytë kryesor është mbipesha ose obeziteti, ndërsa i treti është ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet nga dielli.