Derbi i kryeqytetit: Prishtina dhe Gjilani ndahen baras
Ndeshja mes Prishtinës dhe Gjilanit, një prej derbive kryesorë të xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës, përfundoi me barazim 1-1 pas 98 minutash lojë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pjesa e parë e sfidës nuk prodhoi gola, duke u karakterizuar nga pak raste shënimi nga të dyja skuadrat.
Në pjesën e dytë, Gjilani ishte i pari që shënoi, në minutën e 61-të. Golin për gjilanasit e shënoi Senad Jaroviqi nga pika e bardhë e penalltisë. 11-metërshi u akordua pasi Mamengi i Prishtinës preku topin me dorë brenda zonës, veprim që i kushtoi atij kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtimin me të kuq nga loja.
Reagimi i Prishtinës ishte i menjëhershëm pas golit të Gjilanit. Në minutën e 62-të, vendasit barazuan shifrat në 1-1, me golin e shënuar nga Arjol Bllaca.
Ky barazim ishte i katërti radhazi për Prishtinën, e cila tashmë grumbullon 45 pikë dhe pozicionohet në vendin e tretë, një pikë më shumë se Gjilani, i cili renditet i katërti.
