PDK nuk do të ofrojë votë të pakushtëzuar për kandidatin e Kurtit për president

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka bërë të qartë se partia e saj nuk do të ofrojë mbështetje të pakushtëzuar për asnjë kandidat që mund të propozohet nga kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për postin e presidentit të Republikës.

Hoxha theksoi besimin e saj se edhe partitë e tjera opozitare nuk do të mbështesin një kandidat të tillë thjesht si pasojë e presionit politik.

Ajo nënvizoi se opozita nuk është, siç e përshkroi, “një makinë e lëvizjeve të dëshirave të Kurtit në Kuvend”, duke shtuar se partitë opozitare mbajnë përgjegjësi ndaj elektoratit të tyre dhe kanë vizione të ndryshme për zhvillimin e shtetit.

“Një gjë është e qartë: votë e pakushtëzuar (blanko) vetëm për shkak të presionit që partitë opozitare duhet patjetër ta votojnë këdo që dëshiron Kurti, nuk do të ketë. Ta dini që jo vetëm PDK-ja, por besoj asnjë parti opozitare nuk do ta bëjë këtë, sepse ne nuk jemi makina të lëvizjeve të dorës së dëshirave të Kurtit në Kuvend. Ne kemi një besueshmëri ndaj njerëzve që kanë bindje dhe ide të tjera për shtetin, kanë një vizion tjetër zhvillimor, dhe ne duhet t’i përfaqësojmë ato në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Hoxha për tëvë1.

Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje politike kërkon gatishmëri për dialog, veçanërisht nga subjekti fitues i zgjedhjeve.

Hoxha vlerësoi se demokracia kërkon balancim të pushtetit dhe përfshirje të të gjitha palëve politike, duke kundërshtuar, siç theksoi, përqendrimin e pushtetit në duart e një subjekti të vetëm politik.

“Maturimi, si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë politik, vjen kur palët janë të gatshme. Sidomos pala fituese, qoftë edhe nëse i nevojitet vetëm një votë e vetme, duhet të ulet në tavolinë dhe të krijojë mundësi për të ecur përpara. Këto mundësi që në të kaluarën janë krijuar nga partitë e tjera, zakonisht janë cilësuar si ‘pazare’ dhe janë demonizuar, por në fakt demokracia është ajo që i jep mundësi të voglit, i jep mundësi palëve të padëgjuara dhe u jep mundësi partive opozitare për ta balancuar pushtetin, në mënyrë që të mos krijohet një përqendrim total i pushtetit te një subjekt politik, nëse dëshirojmë të jetojmë në demokraci”, përfundoi ajo.