Pas thashethemeve për tërheqjen e Lionel Messit, edhe mbrojtësi veteran Nicolas Otamendi ka njoftuar se i jep fund karrierës me Kombëtaren e Argjentinës, duke shënuar kështu mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm në jetën e tij sportive.

38-vjeçari, pas stërvitjes së tij të fundit me “Albicelesten”, shpërndau në rrjetet sociale disa fotografi të shoqëruara me një mesazh emocional.

“Ndërsa shikoja fushën, më erdhën në mendje të gjitha kujtimet: hapat e parë, vështirësitë, gëzimet, lotët, fitoret dhe humbjet. Çdo cep dukej sikur ruante një histori,” shkroi Otamendi, duke reflektuar për rrugëtimin e tij.

Ai theksoi rëndësinë e eksperiencës me fanellën kombëtare: “Me Kombëtaren përfundon një stërvitje, por mbyllet edhe një pjesë e madhe e jetës sime. Ishte një nga nderet më të mëdha të jetës sime.”

Në mesazhin e tij, Otamendi nuk la pa përmendur shokun e tij të skuadrës dhe kapitenin, Lionel Messi, i cili gjithashtu pritet t’i thotë lamtumirë Argjentinës. “Ishte privilegj të isha pjesë e historisë tënde, o i vogli,” i shkroi ai Messit.

Mesazhi përmbyllës ishte një shprehje mirënjohjeje dhe dashurie për ekipin kombëtar: “Përgjithmonë në zemër, Kombëtare. Faleminderit për gjithçka.”