Policia e Prishtinës zbaton 182 urdhëresa gjykate dhe sekuestron 10 armë zjarri brenda një jave

Policia e Kosovës ka njoftuar se zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë ndërmarrë një sërë veprimesh gjatë javës së shkuar, duke ekzekutuar gjithsej 182 urdhëresa të gjykatës në vende dhe aksione të ndryshme.

Nga këto, 51 urdhëresa lidheshin me vepra penale, ndërsa të tjerat kishin të bënin me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera.

Pas përfundimit të procedurave policore, të dënuarit me burgim u dërguan për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë u liruan pasi plotësuan detyrimet e përcaktuara në urdhëresa.

Policia bën me dije se veprimtaritë janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë, ku gjatë së njëjtës periudhë janë sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi municioni.

Në sektorin e sigurisë rrugore, zyrtarët policorë vendosën 3.214 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 384 shkelje u evidentuan nga automjetet inteligjente dhe ato të pajisura me radar mobil.

Policia ka bërë të ditur se veprimtaritë e tilla do të vazhdojnë me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit.