**Ndalohet e dyshuara për vrasje në Ferizaj, mbahet në paraburgim edhe babai i saj**
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ofruar detaje të reja rreth vrasjes së rëndë që ndodhi mbrëmë në qytet. Për këtë rast, është ndaluar një vajzë e dyshuar për kryerjen e veprës, si dhe babai i saj, deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij.
Sipas Prokurorisë, rreth orës 22:50 të dielën, autoritetet kanë pranuar informacione se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj. Rasti është iniciuar si vepër penale “Vrasje”.
Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Atje, në bashkëpunim të plotë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë tjera përkatëse, janë ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj çështje penale.
Me vendim të prokurorit të shtetit, e dyshuara është ndaluar për një kohëzgjatje prej 48-orësh, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është ndaluar edhe babai i saj, me iniciale M.B., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast.
Ndërkohë, trupi i pajetë i viktimës, F.H., është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj po vazhdon të punojë për të sqaruar më tej të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështje penale.
