Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për atë që ai e cilësoi si bllokim të Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës. Ai akuzoi LVV-në se po bën “gjithçka për pushtetin”, ndërsa Aleanca, sipas tij, po flet “për shtetin”.
Ramadani deklaratat i bëri nga salla e Kuvendit, ku deputetë të AAK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ishin të pranishëm, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Ai theksoi se bllokada e institucioneve nuk po fshihet më, ndërsa deputetët e opozitës janë të pranishëm në Kuvend, për dallim nga ata të LVV-së, të cilët mungojnë. “Edhe sot, sinqerisht po e konstatojmë bllokadën e re të Kuvendit dhe të shtetit të Kosovës. Ata tashmë as nuk po fshehin që janë bllokuesit, madje as nuk po tentojnë të arsyetohen,” deklaroi ai. Më tej, Ramadani specifikoi arsyet e mungesës së deputetëve të LVV-së: “Disa janë në bregdet, disa të tjerë merren me biznes, një pjesë ndodhen në kolltuqe qeveritare, ndërsa të tjerë nuk guxojnë të dalin nga shtëpia apo rrinë në shtëpi për shkak të kërkesave dhe pyetjeve të qytetarëve.”
Ai nënvizoi se qëndrimi i AAK-së dhe PDK-së nuk lidhet me interesa partiake, por me funksionalizimin e shtetit dhe institucioneve të tij. “Kjo që po ndodh sot në Kosovë, për ne nuk është as betejë, as kërkesë e as synim partiak. Ne po flasim për shtetin, ndërsa ata po bëjnë gjithçka vetëm për pushtetin. Ne po flasim për jetën e qytetarëve, ata vetëm për poste,” theksoi Ramadani, duke shtuar se LVV prej javësh e muajsh flet vetëm për poste. Ai evidentoi një dallim thelbësor: “Ne e pranojmë vullnetin e votuesve, ata po e sakatojnë shpresën e popullit të Kosovës.”
Ramadani përmendi se prej vitesh Vetëvendosja ka deklaruar se është “ndryshe”, por, sipas tij, “e kanë dëshmuar prej vitesh që janë ndryshe, por në kuptimin e gabuar”. Ai sqaroi: “Të jesh ndryshe nuk është të bllokosh institucionet, të fajësosh gjithmonë tjetrin, apo të përdorësh shumicën për të bllokuar shtetin. Të jesh ndryshe do të thotë të punosh më shumë dhe më mirë se të tjerët.”
Deputeti vuri në dukje se qytetarët nuk janë të interesuar për përplasjet partiake, por për funksionimin e shtetit. “Në fund të fundit, qytetarët pyesin: a funksionon shteti ynë? Dhe pas gjithë kësaj periudhe bllokade, pyetja thelbësore për Vetëvendosjen është: Për kë po e bllokoni Kuvendin dhe shtetin e Kosovës? Për popullin? Jo. Për pushtetin? Po,” theksoi ai. Ramadani kritikoi gjithashtu takimet e fundit, duke thënë se asnjëra palë nuk sqaron “çfarë fiton populli i Kosovës prej këtyre takimeve”. Sipas tij, “gjithçka që flasin është për poste: kush çfarë posti po i ofron dikujt, kush kujt po i propozon një emër për një post, jo për përmbajtje, as për programin se çfarë do të ndodhë me qytetarët e Kosovës.”
Në fund, Ramadani paralajmëroi se jashtë mureve të Kuvendit, qytetarët përballen me një realitet tjetër, atë të pasigurisë së madhe në fusha të ndryshme të jetës, si në rrugë, shkollë, shtet dhe treg. “Kjo pasiguri nuk zgjidhet me bllokadë,” përfundoi ai.
