Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e biletave të fluturimeve për diasporën. Shahini e cilësoi këtë vendim si të paarsyeshëm dhe të dëmshëm për ekonominë vendore.
Sipas Shahinit, ky vendim përbën shkelje të të drejtave ekonomike dhe të biznesit, pasi favorizon kompanitë e huaja të shërbimeve, ndërkohë që prodhuesit vendas janë lënë pa mbështetje edhe në periudhat më të vështira.
“Vendimi i Qeverisë për të ndarë dy milionë euro për aviokompanitë, përveç se është i paarsyeshëm, është edhe shkelje e rëndë e të drejtave ekonomike dhe të biznesit, pasi bën dallim mes kompanive të shërbimeve dhe atyre prodhuese. Vetëm vitin e kaluar, kompanitë prodhuese u përballën me vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, dhe Qeveria nuk e konsideroi të arsyeshme t’i subvenciononte prodhuesit vendorë,” deklaroi Shahini për FrontOnline.
Ai shtoi se vendimi ka prapavijë politike dhe ngriti dyshime për mënyrën se si janë ndarë këto subvencione.
“Sot merren vendime që janë politike dhe një ditë me siguri Prokuroria do të merret me këtë çështje, nëse Kosova ka nevojë t’u ndajë subvencione kompanive të ndryshme ajrore për të qëndruar në tregun e saj. Kosova nuk ka asnjë kompani ajrore. Sikur ta kishte dhe ta mbështeste, do të ishte në rregull, por këto janë kompani të huaja dhe dihet se kush përfiton nga këto,” u shpreh ai.
