**Derbi Llapi-Gjilani sot në Podujevë: Një përballje me ngarkesë të lartë**
Llapi dhe Gjilani do të përballen sot, në një ndeshje derbi të javës së dytë të Superligës së Kosovës. Takimi zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke nisur nga ora 16:30.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje me ecuri të ndryshme nga java hapëse e kampionatit.
Llapi pësoi një humbje të thellë 5:3 në udhëtim ndaj Dritës në Gjilan. Edhe pse skuadra e Podujevës arriti të shënonte tri herë, problemet në repartin mbrojtës i kushtuan pikët e para të sezonit.
Në anën tjetër, Gjilani e nisi edicionin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme. “Skifterat” triumfuan 3:1 në udhëtim ndaj Feronikelit ’74, duke siguruar tri pikët e plota dhe një nisje pozitive të sezonit.
Për Llapin, kjo ndeshje është një mundësi thelbësore për të reaguar pas humbjes në javën e parë, ndërsa Gjilani synon të vazhdojë serinë e fitoreve dhe të konsolidojë pozitat në kreun e tabelës.
Kështu, sfida e sotme në “Zahir Pajaziti” pritet të ofrojë rivalitet të fortë, me Llapin në kërkim të pikëve të para dhe Gjilanin që kërkon fitoren e dytë radhazi.
