Rinia Demokratike e Kosovës do të zhvillojë sot një aksion simbolik para hyrjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka njoftuar Partia Demokratike e Kosovës.

Aksioni ishte paralajmëruar të mbahej në orën 11:00.

Në ditët e kaluara, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, me kërkesën për thirrjen e seancës konstituive, shkuan në Kuvendin e Kosovës. Të mërkurën ata kishin një përplasje me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje brenda sallës plenare.

Gjithashtu, anëtarë të PDK-së kanë qëndruar edhe para Kryeministrisë, nga ku kanë theksuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është uzurpator në Zyrën e Kryeministrit pas betimit si deputet.

Dje, kreu i kësaj partie, Bedri Hamza, mbajti një konferencë për media në foltoren e Kuvendit. Ai deklaroi se po shkelet rendi kushtetues i vendit dhe se shteti po mbahet peng nga z. Kurti.