Të rinjtë shqiptarë kanë të ardhurat më të ulëta në Evropë, sidomos kur maten me fuqinë blerëse. Një studim i fundit tregon se ata janë ndër më të varfrit në kontinent, veçanërisht kur vlerësohen të ardhurat e tyre në raport me çmimet dhe koston e jetesës.
Të dhënat më të fundit të Eurostat, të analizuara nga Euronews, zbulojnë se të ardhurat mesatare vjetore të familjeve ku jetojnë të rinjtë shqiptarë (18-24 vjeç) janë vetëm 5,736 euro. Ky është niveli i dytë më i ulët mes 34 vendeve evropiane të përfshira në krahasim.
Vetëm Maqedonia e Veriut shfaq shifra më të ulëta, me 4,640 euro. Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Evropian është dukshëm më e lartë, duke arritur në 21,482 euro. Kur maten të ardhurat sipas fuqisë blerëse (standardi i fuqisë blerëse – PPS), Shqipëria renditet e fundit me 8,175 PPS. Kjo vjen për shkak të çmimeve më të larta në Shqipëri, ku ato të ushqimeve janë 3% më të larta se mesatarja e BE-së.
Kjo analizë e Euronews vjen në një kohë kur protestat e të rinjve po shpërndahen në disa vende evropiane, veçanërisht në Francë. Këto protesta nxiten nga kostoja e lartë e jetesës, vështirësitë për të gjetur banesë, pagat e ulëta dhe problemet me shërbimet publike.
Edhe Shqipëria ka parë protesta të studentëve dhe të rinjve gjatë javëve të fundit. Ata kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me kushtet e arsimit, mungesën e punësimit, koston e lartë të jetesës dhe korrupsionin.
Disa nga këto protesta janë kthyer në demonstrata më të gjera kundër qeverisë. Këto zhvillime e bëjnë edhe më të rëndësishëm krahasimin e situatës ekonomike të të rinjve shqiptarë me atë të bashkëmoshatarëve të tyre në Evropë.
Sipas Euronews, vala e protestave në Evropë ka rikthyer në qendër të vëmendjes gjendjen ekonomike të brezit të ri. Eksperti i së drejtës evropiane, Alberto Alemanno, thekson se këto protesta nuk mund të shihen thjesht si një “revoltë adoleshentësh”, pasi ato pasqyrojnë shqetësime dhe kërkesa të ndryshme ekonomike dhe sociale.
