Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përkujtoi 24 majin e vitit 1992, datë kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë. LDK-ja e vlerëson këtë ngjarje si një moment thelbësor për themelimin e demokracisë në vend.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, LDK theksoi se zgjedhjet e mbajtura 32 vjet më parë shënuan zanafillën e rrugës së gjatë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, nën moton “Kosovë Republikë”.
Sipas këtij subjekti politik, zgjedhja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte po aq e rëndësishme. “Ai u bë udhërrëfyes, misionar dhe udhëheqës shpirtëror i mbarë popullit në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke forcuar miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe aleatët ndërkombëtarë,” thuhet në postim. LDK-ja shton se “Figura e Presidentit Rugova është e pazëvendësueshme; ai për më shumë se dy dekada udhëhoqi popullin e tij drejt fitores së lirisë dhe themelimit të shtetit demokratik.”
LDK-ja nënvizoi se 24 maji sot shënohet si Dita e Presidentit, në nderim të veprës së Rugovës dhe rolit të tij jetik në shtetformimin e Kosovës.
“Populli i Kosovës sot feston 24 majin si Ditën e Presidentit, duke nderuar kështu veprën historike të babait themelues të shtetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova; figurën emblematike të shtetit tonë, arkitektin e pavarësisë që ne gëzojmë sot,” përfundon reagimi i LDK-së.
