Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar ish-ushtarin e UÇK-së, Isak Asllanin, dhe ka publikuar një video ku thekson thirrjen për bashkim dhe ndryshim në Kosovë.

Hamza theksoi se historia e Isak Asllanit, i cili gjatë luftës humbi shtatë fëmijët, bashkëshorten dhe nënën, përbën një nga plagët më të rënda të luftës së Kosovës dhe një kujtesë të përhershme për çmimin e lirisë.

“Kur Isak Asllani flet kështu,” u shpreh Hamza, “pyetja e parë që të shkon në mendje është: si arritëm në këtë pikë? Kush e ndau kaq shumë shoqërinë tonë?”

Ai nënvizoi se në një kohë kur ish-ushtarët e UÇK-së dhe vlerat e luftës po sulmohen me gjuhë fyese dhe përçarëse, zëri i njerëzve si Asllani duhet të dëgjohet më shumë se kurrë.

“Sot, edhe pas gjithë asaj dhimbjeje, Isaku nuk ankohet,” deklaroi Hamza. “Ai flet me dinjitet për Kosovën dhe bën thirrje për bashkim. Kjo është madhështia morale e njerëzve që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë.”

Sipas tij, Kosova është ndërtuar mbi sakrificë dhe bashkim, e jo mbi urrejtje dhe ndarje mes qytetarëve.

“Për hir të këtyre sakrificave,” shtoi kandidati i PDK-së për kryeministër, “e kemi obligim t’i japim fund krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën.”

Në fund, Hamza shprehu respekt të përjetshëm për Isak Asllanin dhe për çdo familje që, siç tha ai, i dha gjithçka lirisë së atdheut.