**FFK apelon për mbështetje masive: Kosova një hap larg Botërorit në përballjen vendimtare me Turqinë**
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka lëshuar një thirrje emocionuese drejtuar të gjithë shqiptarëve, duke kërkuar mbështetje unanime për ndeshjen e sotme të Përfaqësueses së Kosovës kundër Turqisë. Kjo përballje është vendimtare në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, me ‘Dardanët’ që shpresojnë të shkruajnë histori.
Në një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, FFK u ka bërë thirrje tifozëve që të bëhen “zëri i historisë”, duke theksuar se sonte është një moment unik dhe i papërsëritshëm. “Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit… nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë”, citon komunikata e Federatës.
FFK thekson se Kombëtarja ndodhet vetëm “një hap larg Botërorit”, një ëndërr që për shumëkënd ka mbetur e largët për dekada. “Një shans që mund të vijë vetëm një herë në jetën tonë. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt”, vijon apeli. Apeli thekson rëndësinë që tifozët të bëhen “lojtari i dymbëdhjetë”, duke u dhënë ‘Dardanëve’ në fushë shtysën e nevojshme që nuk matet me statistika, por ndjehet në çdo sprint dhe duel.
Federata gjithashtu nënvizon rëndësinë e respektit ndaj kundërshtarit, veçanërisht gjatë intonimit të himnit, duke theksuar se Turqia është një “shtet mik”. Megjithatë, sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shndërrohet në një arenë ku “edhe kundërshtari i sotëm e ndjen peshën e një kombi të tërë”. Thirrja e FFK-së inkurajon tifozët të mos ndalin këngën dhe atmosferën, pavarësisht se kush e ka topin, pasi energjia e krijuar nga tribuna është “presion, motivim dhe avantazh” i qartë.
Një kualifikim në Botëror nuk do të ishte thjesht një arritje sportive, por një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar identitetin, historinë dhe krenarinë e Kosovës në skenën më të madhe të futbollit botëror. “Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i të tërë. Beso. Këndo. Brohorit. Sepse sonte, historia mund të shkruhet me zërin tënd. Forca Kosovë!”, përmbyllet mesazhi i Federatës.
