**Nënat e Futbollistëve: Heronjat e Pafestuara të Fushës**
Në tribunat e ftohta, mes zhurmës së turmës dhe vrullit të lojës, rrahin zemra që përjetojnë gjithçka me intensitet të veçantë: zemrat e nënave.
Ato nuk veshin fanellë, nuk shënojnë gola dhe rrallë marrin duartrokitje nga publiku, por pa mbështetjen e tyre, shumë prej yjeve të fushës nuk do të kishin arritur kurrë majat.
Nënat e futbollistëve, të cilat në Kosovë numërohen me mijëra, janë heronjat e heshtura që vuajnë në qetësi. Janë ato që lajnë çorapet me gjak, fshijnë baltën nga rrobat dhe lotët nga sytë e djemve të tyre.
Çdo njollë është një histori përpjekjeje, çdo plagë një dëshmi sakrifice. Ndërsa të tjerët shohin vetëm rezultatin final, ato shohin rrugën e gjatë dhe të vështirë që ka çuar në atë moment.
Ato jetojnë në ankth për çdo rrëzim në fushë, për çdo përplasje dhe çdo britmë dhimbjeje. Por ankthi i tyre shtrihet përtej lëndimeve fizike. Ato ndiejnë thellë edhe plagët emocionale të djemve të tyre: zhgënjimet, padrejtësitë, frustrimet dhe momentet kur ndihen të nënvlerësuar apo të lënë pas dore.
Kur ekipi i tyre i dëshpëron, kur trajneri i trajton ashpër ose kur talenti i tyre vihet në hije nga padrejtësia, janë nënat ato që u qëndrojnë pranë. Me fjalë të buta, me përqafime të forta dhe me besim të palëkundur, ato janë zëri që u thotë: “Mos u dorëzo. Ti vlen. Je ende i ri. Vazhdo përpara.”
Ato janë motivimi i parë dhe i fundit. Janë ato që i zgjojnë djemtë herët për stërvitje, që sakrifikojnë kohën, energjinë dhe shpesh edhe veten. Ato besojnë te djemtë e tyre edhe kur askush tjetër nuk e bën, madje as baballarët.
Nënat e futbollistëve nuk janë thjesht spektatore. Ato janë shtylla kryesore, forca e padukshme që mban në këmbë ëndrrat e djemve të tyre. Përveç ëndrrës primare të futbollit, ato përpiqen t’u rrënjosin djemve edhe një ëndërr të dytë, një plan rezervë – shkollimin – si sigurim për të ardhmen. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Kosovë, ku pavarësisht dashurisë së pakushtëzuar të mijëra e mijëra djemve dhe vajzave për futbollin, shpesh mungojnë kushtet elementare për stërvitje dhe zhvillim.
Dhe në fund të çdo loje, stërvitjeje apo ndeshjeje, kur djemtë kthehen në shtëpi dhe janë pranë tyre, përtej çfarëdo rezultati, kur fiken dritat e stadiumit dhe heshtin brohoritjet, fyerjet apo duartrokitjet, pikërisht nënat janë fitueset e vërteta.
