E ardhmja e Kristjan Asllanit te Interi mbetet e paqartë. Mesfushori shqiptar, pas rikthimit nga huazimi, nuk përfshihet në planet e klubit zikaltër për sezonin e ri dhe pritet të largohet gjatë kësaj merkatoje verore.

Sipas raportimeve të “Tuttomercatoweb”, Sassuolo vazhdon të shfaqë interes për 23-vjeçarin shqiptar. Megjithatë, klubi italian aktualisht nuk mund të plotësojë kërkesën financiare të Interit për një transferim përfundimtar.

Interi vlerëson Asllanin rreth 15 milionë euro, një shifër kjo e konsiderueshme për mundësitë financiare të skuadrës “Gjelbër e Zi”. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit emilian po shqyrtojnë një formulë alternative për ta sjellë mesfushorin në “Mapei Stadium”.

Ideja më e mundshme është një huazim, me të drejtë ose detyrim blerjeje në fund të sezonit. Kjo formulë do t’i lehtësonte Sassuolos barrën financiare të operacionit.

Asllani konsiderohet një profil ideal për të përforcuar mesfushën e Sassuolos, ndërsa vetë lojtari dëshiron të gjejë një ekip ku mund të ketë më shumë hapësira për të luajtur rregullisht.

Në ditët në vijim priten kontakte të reja mes dy klubeve, për të kuptuar nëse Interi do të pranojë formulën e huazimit apo do të vazhdojë të insistojë për një shitje të menjëhershme.