**Rafael Leao u ofrohet klubeve të Premier Ligës**

E ardhmja e sulmuesit portugez, Rafael Leao, vazhdon të mbetet e paqartë. Gazetari i njohur sportiv, Ben Jacobs i talkSPORT, ka zbuluar së fundmi se përfaqësuesit e Leaos kanë ofruar shërbimet e tij disa klubeve të Premier Ligës. Qëllimi është të vlerësohet interesi dhe mundësia e një transferimi të mundshëm.

Mes klubeve të kontaktuara, përveç Manchester United dhe Arsenal, përmendet edhe Leeds United, një skuadër që në atë kohë sapo ishte ngjitur në elitën e futbollit anglez, sipas raportimeve të “Gazeta Express”.

Kjo mundësi ka shkaktuar habi, duke marrë parasysh diferencën e madhe mes ambicieve të klubit nga Yorkshire dhe profilit ndërkombëtar të sulmuesit numër 10 të Milanit.

Gjatë emisionit “White and Jordan”, Ben Jacobs theksoi se Leeds ishte ndër klubet e informuara për situatën e lojtarit, edhe pse realizimi i një transferimi të tillë vlerësohet si shumë i vështirë.

“Rafa Leao u është ofruar, madje, edhe Leeds United, përveç Manchester United dhe Arsenalit,” tha gazetari anglez. Ai shtoi se pengesat financiare e bëjnë shumë të vështirë konkretizimin e kësaj marrëveshjeje.

Sipas Jacobs, aktualisht pista më bindëse për të ardhmen e Leaos nuk është Premier Liga.

“Parashikimi im është se Leao mund të përfundojë në Turqi,” theksoi ai, duke sugjeruar se klubet turke ofrojnë zgjidhjen më të mundshme në këtë fazë.

Siç është raportuar edhe më parë, Galatasaray mbetet në avantazh për transferimin e portugezit.