Qendra Memoriale e Srebrenicës kërkon përjashtimin e përhershëm të Crvena Zvezdës nga garat e UEFA-s
Qendra Memoriale e Srebrenicës i ka dorëzuar UEFA-s një raport zyrtar, duke kërkuar përjashtimin e përhershëm të klubit FK Crvena Zvezda nga garat e saj. Arsyeja është lavdërimi i Ratko Mlladiçit gjatë një ndeshjeje të Ligës së Evropës kundër Viktoria Plzen, si dhe promovimi i mëvonshëm i fotove me mesazhe të diskutueshme përmes kanaleve zyrtare të klubit në rrjetet sociale.
Gjatë ndeshjes, ku Crvena Zvezda u mund 5-1 nga Viktoria Plzen, tifozët e klubit beogradas shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit”, ndërsa brohorisnin emrin e Ratko Mlladiçit.
Qendra Përkujtimore theksoi se ky rast nuk mund të konsiderohet thjesht si sjellje e izoluar e tifozëve. Pas ndeshjes, vetë Crvena Zvezda publikoi në profilet e saj zyrtare në rrjetet sociale foto ku pankartat problematike ishin qartësisht të dukshme dhe dominuese. Kështu, klubi e përhapi më tej mesazhin përmes kanaleve të tij zyrtare të komunikimit institucional, në vend që të distancohej nga këto mesazhe, duke i bërë ato pjesë të komunikimit zyrtar pas ndeshjes.
Raporti vë në dukje se një sjellje e tillë përbën bazë për zbatimin e dispozitave të Rregullores Disiplinore të UEFA-s. Këto dispozita lidhen me sjelljen diskriminuese, fyerjen e dinjitetit njerëzor, mesazhet politike dhe ideologjike të papërshtatshme për ngjarjet sportive, si dhe sjelljen që diskrediton futbollin dhe UEFA-n.
Qendra Përkujtimore i kujtoi gjithashtu UEFA-s se tashmë ekziston një precedent disiplinor ndaj Crvena Zvezdës për glorifikimin e Ratko Mlladiçit. Në një procedurë të mëparshme, UEFA kishte konstatuar se glorifikimi i Mlladiçit nuk përfaqëson thjesht mbështetje për një individ, por një mesazh që fyen viktimat në baza etnike dhe fetare.
Rasti aktual është edhe më serioz, pasi nuk përfundon vetëm me sjelljen e tifozëve. Mesazhet problematike morën një publicitet të shtuar pas ndeshjes përmes kanaleve zyrtare të vetë klubit.
Për këtë arsye, Qendra Memoriale e Srebrenicës i kërkoi UEFA-s që të nisë urgjentisht procedura disiplinore, të vlerësojë sjelljen e tifozëve dhe veprimet e klubit si një akt të vetëm, dhe ta trajtojë publikimin e fotove problematike nga Crvena Zvezda në kanalet e saj zyrtare si një rrethanë veçanërisht rënduese.
Duke marrë parasysh rëndësinë e çështjes, precedentin e mëparshëm disiplinor të UEFA-s kundër të njëjtit klub për lavdërimin e Ratko Mlladiçit, si dhe faktin se këtë herë mesazhi problematik u promovua edhe nga vetë klubi, Qendra Përkujtimore kërkoi përjashtimin e përhershëm të Crvena Zvezdës nga garat e UEFA-s.
“Një klub që përdor me vetëdije kanalet e tij zyrtare të komunikimit për të përhapur mesazhe që lavdërojnë një person të dënuar ligjërisht për gjenocid, nuk mund t’i reduktojë këto veprime thjesht në sjelljen e tifozëve. Kjo nuk është më vetëm një çështje e tribunave, por ka të bëjë me marrëdhënien institucionale të klubit me vlerat mbi të cilat UEFA ndërton futbollin evropian”, theksoi Qendra Përkujtimore.
