Policia e Tiranës ka reaguar pas publikimit të disa videove dhe pretendimeve lidhur me protestën e datës 15.10.2026, duke mohuar përdorimin e kavo metalike dhe dorëheqjet e punonjësve, si dhe duke dhënë sqarime rreth shoqërimit të një personi.

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Policisë Tiranë thekson se kavot metalike, të cilat u publikuan në media, nuk janë mjete të përdorura nga punonjësit e saj. Sipas Policisë, ato u janë sekuestruar paraditen e 15.10.2026 katër të rinjve të maskuar, të cilët dyshohej se po shkonin drejt protestës me qëllim goditjen e pjesëmarrësve. Policia shton se llojet e mjeteve që ajo përdor janë të standardizuara me ligj dhe procedura.

Lidhur me pretendimet për shoqërimin me forcë të një shtetaseje nga civilë, Policia e Tiranës sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër. Shoqërimi u krye nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve për identifikimin dhe ndalimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprime të kundërligjshme gjatë protestës. Ky shtetas dyshohet se drejtonte tubuesit dhe gjuante me zare metalikë ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve.

Gjithashtu, Policia e Tiranës mohon zërat për dorëheqje të punonjësve të saj dhe thekson se nuk ka asnjë urdhër për ushtrimin e dhunës ndaj personave të shoqëruar.

Policia bën me dije se në orët e mbrëmjes së datës 15.10.2026, një grup protestuesish të maskuar kanë shkuar në Qendrën Studentore dhe kanë thyer xhamat e dyert e godinave. Policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si pasojë e dhunës gjatë tubimit të 15.10.2026, janë dëmtuar 22 punonjës policie. Po ashtu, janë dëmtuar institucione, objekte private e bankare dhe sinjalistika rrugore.

Në fund të reagimit, Policia e Tiranës shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve dashakeqe, me qëllim krijimin e një klime konflikti mes Policisë dhe protestuesve. Ajo thekson se respekton dhe garanton të drejtën për të protestuar paqësisht, duke u bërë apel pjesëmarrësve në tubime të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë, institucionet shtetërore dhe pronën publike e private.