Skandal në Angli: Futbollisti i York City godet tifozin, Policia nis hetimet
Një incident i papranueshëm ka hedhur hije mbi festimet e ngjitjes në kategori të ekipit York City FC, pasi Policia ka nisur hetimet për një video që po qarkullon gjerësisht. Në pamjet filmike, shihet një futbollist duke sulmuar fizikisht një tifoz që kishte hyrë në fushë.
Sipas raportimeve të talkSPORT, Policia ka konfirmuar se është në dijeni për videon dhe ka nisur verifikimet e rastit.
York siguroi ngjitjen në kategorinë më të lartë të futbollit anglez në një mënyrë dramatike, duke barazuar në minutën e 102-të të ndeshjes. Më herët, Rochdale AFC kishte menduar se kishte siguruar fitoren me golin e minutës së 95-të, por York reagoi në çastet e fundit për të marrë një pikë vendimtare dhe për të siguruar titullin.
Si pasojë, Rochdale, që e përfundoi sezonin me plot 106 pikë, do të detyrohet të kërkojë promovimin përmes ndeshjeve shtesë (play-off-eve).
Pas përfundimit të ndeshjes, emocionet shpërthyen dhe fusha u pushtua fillimisht nga tifozët e Rochdale, e më pas nga ata të Yorkut. Në mes të festës, mesfushori Hiram Boateng u pa i ulur në gjunjë pas vërshëllimës së fundit të ndeshjes.
Sipas talkSPORT, një tifoz – identiteti dhe përkatësia e të cilit nuk janë të qarta – iu afrua dhe, siç duket, i vendosi duart mbi Boateng. Futbollisti më pas u lirua dhe, në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet duke reaguar fizikisht ndaj tifozit.
Në një deklaratë për talkSPORT, një zëdhënës i Policisë u shpreh:
“Jemi në dijeni të një videoje që po qarkullon dhe që lidhet me një sulm të mundshëm që përfshin një lojtar. Kemi kontaktuar me të dyja klubet dhe Ligën Kombëtare.
Do të vazhdojmë të analizojmë pamjet filmike dhe të shqyrtojmë regjistrimet e kamerave të sigurisë.”
Rasti pritet të hetohet në detaje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë pasoja disiplinore apo ligjore për ngjarjen që ka lënë një hije mbi festimet e ngjitjes në kategori të York City.
