Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur në Durrës, ku një automjet përplasi tre të mitur, duke i marrë jetën dy prej tyre, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Në reagimin e tij, përmes një postim në platformën X, Rama shprehet se është njoftuar për “tragjedinë e pangushëllueshme”, siç e ka cilësuar ai, sapo ka zbritur në Erevan të Armenisë për takimin e Komunitetit Politik Europian.
Teksa e konsideron ngjarjen një dhimbje të madhe, kreu i qeverisë shpreh solidaritet me familjarët e viktimave dhe uron shërim për fëmijën që po lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve.
“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan Rama.
Qyteti i Durrësit është tronditur nga një ngjarje tragjike, ku 2 të mitur humbën jetën dhe një tjetër u plagos, pas përplasjes nga një automjet në zonën e ish-Kënetës teksa ishin duke luajtur në trotuar në momentin e aksidentit. I mituri i tretë është shoqëruar në spitalin e traumës në Tiranë ku po lufton me plagët e rënda si pasojë e aksidentit. Ndërsa drejtuesi i mjetit është arrestuar nga policia, transmeton rtsh.
